Platoni
besonte se secili prej nesh synon të jetë një qenie njerëzore e
realizuar dhe se filozofia është shkenca që na ndihmon të gjejmë mënyrën
e këtij realizimi. Në kohën e tij filozofia ishte një disiplinë e re.
Një nga idetë më radikale të Platonit ishte barazia mes realizimit dhe
lumturisë njerëzore, me atë që ai e cilësonte si harmonia
e brendshme e psikikës sonë. Nëse do t‘i hedhim një vështrim Homerit
dhe gjithë poetëve grekë që ishin para tij, bëhej fjalë për një çështje
të jashtme. Platoni ka thënë se drejtësia dhe virtyti janë çështje të
brendshme, pra gjendje të brendshme të shpirtit. Më vonë ky këndvështrim
i Platonit u zhvillua nga krishterimi dhe doli ajo që ata e quajnë
ndërgjegje. Ideja e Platonit ishte një hap shumë i madh përpara në
historinë e etikës dhe fesë perëndimore dhe pati një ndikim në
zhvillimin e krishterimit.
Teoria e Universit, sipas së cilës Dielli ndodhet në qendër të tij (Koperniku)
Edhe pse Galileo Galilei nuk ishte i pari që sugjeroi rrotullimin e
Tokës rreth Diellit (madje nuk ishte as Nikolla Koperniku, pasi burimet
flasin për astronomin grek Aristarus që e bëri një sugjerim të tillë
2000 vjet para tyre) zbulimi i Galileos dha prova dhe fakte për këtë
teori. Kjo teori pati një ndikim të jashtëzakonshëm. Ai zbuloi njollat e
Diellit dhe ishte një nga të parët që zbuloi edhe hënat e Jupiterit,
çka tregonte se Toka nuk ishte e vetmja qendër e universit. Ai,
gjithashtu, kuptoi se Rruga e Qumështit nuk ishte vetëm një vijë e
shndritshme në qiell, por një vijë që përbëhej nga shumë yje. Të gjitha
këto zbulime janë ndër më të mëdhatë e bëra ndonjëherë në astronomi.
Zbulimi kyç i Galileos ishte nisja e kërkimeve shkencore të yjeve, duke
përdorur teleskopët, që do të mundësonin pamje shumë të thella të
universit në krahasim me syrin.
Dekarti
Me deklaratën
"cogito ergo sum" (mendoj, pra jam), Dekarti e vendosi të menduarit në
qendër të kërkimit të tij. Në vend që të fillonte me fizikën dhe botën
natyrore, ai e nisi me këtë veti njerëzore. Dekarti arriti që të bënte
dallimin mes mendjes dhe materies. Ai me të drejtë quhet "babai" i
filozofisë moderne. Perspektiva e tij e drejtuar për nga mendimi dhe
ndërgjegjja, sikur ato të ndodheshin jashtë sferës së shkencës natyrore,
ishte një ide me të vërtetë domethënëse, ide që edhe sot nuk është
eksploruar plotësisht. Mendimet e këtij filozofi i hapën udhë një
studimi serioz në lidhje me perceptimin e hapësirën psikologjike të
njeriut.
Teoria e Gravitetit Universal
Teoria e
Njutonit ishte demonstrimi i parë që matematika mund të përdorej për të
kuptuar botën natyrore. Kështu mund të parashikojmë eklipset e ndryshme
edhe një shekull para se të ndodhin, sepse sistemi i orbitave të
planetëve është shumë i thjeshtë. Nëse Njutoni nuk do të kishte
ekzistuar, atëherë ndoshta do të kishte kaluar një shekull, a më shumë
kohë para se dikush të kishte dalë në përfundimin e tij. Koncepti që
universi lëviz sipas rregullave të matematikës ishte shumë i rëndësishëm
për kulturën e shekullit të 18-të. Graviteti i Njutonit është ende baza
e shumë programeve dhe e shumë shpikjeve të kohës sonë.
Adam Smith dhe ekonomia e tij "Laissez-Faire"
Ideja më e madhe ekonomike e Adam Smithit ishte se individët duhet të
lihen të lirë të ndjekin interesin e tyre gjithmonë në kuadrin e së
mirës së përbashkët. Kjo ide ishte revolucionarizuese, sepse, sipas saj,
njerëzit nuk kanë nevojën e një despoti mbi kryet e tyre për të
mbikëqyrur të mirën e përgjithshme. Gjithçka që njeriu ka nevojë është
tregu. Kjo pikëpamje është huazuar nga Banka Botërore dhe atë e gjen
edhe pas retorikës së disa prej politikave të Bushit. Por ka edhe një
tjetër ide që përflitet më pak nga partizanët e tregut të lirë, që u jep
të drejtë qeverive të ndërhyjnë në disa zona të caktuara. Aktualisht, e
ashtuquajtura "dorë e padukshme" e Adam Smithit është një ide e
diskredituar, e megjithatë ajo vazhdon të ketë ndikim qoftë për mirë,
qoftë për keq.
Liria e grave
Përligjja e të drejtave
të grave (1792) është jashtëzakonisht e rëndësishme. Mary Wollstonecraft
i kritikoi të gjitha mënyrat me të cilat femra mbahet e "prangosur"
brenda suazës së feminizmit. Në fund të shekullit të 19-të, gratë u
turbulluan nga radikalizmi që predikonte ajo. Mary mendonte se gratë
duhet të jenë të lira të zgjedhin për jetën e tyre, sikurse burrat. Me
gjithë përpjekjet e mëdha në shekujt vetëm pas Luftës II Botërore në
vitet ‘60, gratë shkuan pranë idesë së Wollstonecraft. Sigurisht që
ishte një kohë e gjatë që nga "revolucioni" që propozoi Mary, por herët a
vonë ky ndryshim do të kishte ardhur.
Analiza marksiste e kapitalit
Analiza e Marksit është e një rëndësie unike, sepse ajo studioi
zhvillimin e kapitalizmit modern. Ai tha se konflikti në botë nuk është
mes gjinive dhe racave, është mes 95% të popullsisë së botës që krijon
pasuritë dhe vlerat dhe 5% të popullsisë që është pronare e të mirave.
Marksi na dha një nga shpjegimet më të mira në lidhje me atë që po
ndodhte në atë kohë dhe që nuk mund ta hedhësh poshtë as sot.
Kapitalizmi është forcuar dhe më në fund njerëzit kanë nisur të kuptojnë
se çfarë po ndodh. Ai i ndihmon njerëzit të kuptojnë për shembull se
Shtetet e Bashkuara e pushtuan Irakun, sepse kërkonin naftën e tij.
Teoria e nënndërgjegjes
Frojdi eksploroi rrugën përmes së cilës nënndërgjegjja drejton disa nga
veprimet tona, e që na çon të bëjmë lëvizje që ndërgjegjja nuk do t‘i
kishte bërë kurrë, pasi nuk do të ishin në interesin tonë. Ai tha i pari
që përmes ëndrrave, apo lapsuseve të të folurit njerëzit mund të
kuptojnë shumë nga vetja e tyre e vërtetë. Frojdi i shndërroi
marrëdhëniet njerëzore në objekt studimi, duke nënvizuar se natyra jonë
është shumë më komplekse dhe e ndërlikuar nga sa kujtojmë. Tani jetojmë
në një shoqëri post-frojdiane, çka do të thotë se besojmë që emocionet
janë shumë të rëndësishme në motivimin e qenies sonë. Frojdi hodhi
poshtë gjithë argumentin racionalist.
Teoria e Relativitetit
Teoria e Ajnshtajnit ishte nga ato të paktat që shndërroi botën. Në
dukje të parë nuk të jep këtë përshtypje, pasi është shumë e çuditshme.
Kjo teori është në thelb të çdo teorie moderne në lidhje me funksionimin
e botës, duke nisur që nga elektriciteti, magnetizmi, transistorët etj.
Pa relativitetin nuk do të kishim një pamje moderne të botës, atë që
kemi sot.
No comments:
Post a Comment